“Ndërgjegja e humbur” nga Michail Saltykow-Shchedrin
Michail Saltykow-Shchedrin është një nga kritikët më të mëdhenj të shoqërisë ruse të shekullit të 19-të. Ai jetoi në një periudhë kur Rusia po kalonte ndryshime të mëdha politike dhe sociale — nga sundimi absolut i carit, korrupsioni i thellë i administratës, deri te fillimi i debatit mbi të ardhmen e Rusisë. Ai ishte pjesë e asaj gjenerate shkrimtarësh që përmes satirës dhe realizmit kritik, sfiduan shtypjen, padrejtësinë dhe mungesën e përgjegjësisë morale në shoqëri. Ndër të tjera, është prej mendimtarëve shkrimtarë që artikulimet e problemeve sociale e kulturore i paraqet përmes një stili të veçantë.
Në “Ndërgjegjen e humbur”, Saltykow ndërton një narrativë që reflekton mbi humbjen e ndërgjegjes jo thjesht si një fenomen individual, por si një gjendje ekzistenciale kolektive. Në filozofinë ruse dhe në atë perëndimore, ndërgjegja njihet si baza e lirive dhe përgjegjësive njerëzore. Kur ajo shuhet, njeriu transformohet në një krijesë pa themel të brendshëm, pa vlerë dhe pa aftësi për të vepruar në mënyrë autonome dhe etike. Pra, ai shkëputet nga aftësia e tij për reflektim objektiv që de-identizon botën e jashtme me të brendshmen si destabilizim i harmonisë që projekton “rregullin” si semantikë etike.
Në këtë kuptim, ndërgjegja është një urë mes vetes së brendshme dhe botës së jashtme, një mekanizëm që siguron përgjegjësinë dhe ndjenjën e drejtësisë. Kur ajo humbet, njeriu bëhet i huaj për vetveten dhe për komunitetin, duke shkuar drejt tëhuajzimit (alienimit).
Kritika e Saltykow është një paralajmërim i fuqishëm ndaj asaj që filozofë të mëdhenjë si Hegeli, Marx e quajnë tëhuajzim (alienim): ndarja e njeriut nga thelbi i vet ekzistencial dhe shoqëror. Në shoqërinë ruse të kohës, pushteti absolut dhe korrupsioni nuk shkatërronin vetëm strukturat politike, por edhe shpirtin e njeriut, frymën reflektuese, individin jo vetëm si qenie që duhet ta ruaj thelbin moral, por edhe si bartës ekskluziv i saj.
Relacioni i subjektit moral është i determinuar jo vetëm nga botëkuptimet përfaqësuese të optikës së ndonjë rryme etike, por edhe në gjykimin partikular të fenomeneve vepruese në natyrën e realitetit njerëzor e ndërnjerëzor, veçanërisht nga diskurset që prodhojnë idealin se rezultatet duhet të reduktohen në njohjen materialiste e pragmatiko-utilitare drejt një individi të përplotësuar.
Në “Ndërgjegjen e humbur”, kjo gjendje paraqitet përmes personazheve të mpakur té "hutuar", që heshtin dhe bashkëpunojnë me padrejtësinë për të ruajtur pozicionin dhe interesat e tyre personale. Kjo përfaqëson një shpërfillje të thellë të ndërgjegjes, që më pas shndërrohet në një “mëkat kolektiv”, “liri antiaretike”. Saltykow përdor satirën si një instrument filozofik për të denoncuar hipokrizinë, korrupsionin dhe mungesën e përgjegjësisë. Kjo formë e artit ka një rëndësi të veçantë në kulturën ruse, ku shkrimtarët shpesh janë shndërruar në ndërgjegjen kritike të shoqërisë.
Në këtë kontekst, “Ndërgjegja e humbur” është një reflektim filozofik mbi mënyrën se si mungesa e ndërgjegjes çon në dehumanizimin e individit dhe në degradimin e shoqërisë në tërësi. Satira nuk është vetëm tallje, përbuzje, pëqeshje, por një thirrje për reflektim dhe zgjerim të vetëdijes morale. Një stad mjeshtëror dhe i veçantë i artikulimit të problemeve sociale, politike e kulturore, shtigjet e së cilës nganjëherë mbesin të pa ezauruara me metodat e thjeshta e klasike shkencore dhe të pa shpalosura me mënyrat konvencionale e të sigurta në vetëvete.
Prandaj, suspendimi i përgjegjësisë nuk përjetohet si papërgjegjshmëri, por si shtyerje dhe pritje e dëshirueshme e pjekjes së kushteve për të marrë përgjegjësi të plotë, që do të shpie në përsosmëri të marrjes së vendimit mbi “detyrat” e subjektit për individualitetin. Relacioni moral i subjektit me vetveten del të jetë një nihilizëm i fshehur nën mekanizmat vetëmbrojtës, të cilët bëhen realiteti i ri i subjektit.
Vepra e Saltykow-it hyn në dialog me traditat më të mëdha të filozofisë ruse, që theksojnë rëndësinë e shpirtit, lirive dhe moralit për zhvillimin e një shoqërie të drejtë. Ai refuzon të pranojë një shoqëri ku njerëzit humbasin vetëdijen e tyre, duke u bërë thjesht instrumente të pushtetit të shtypur. Në këtë mënyrë, “Ndërgjegja e humbur” është një paralajmërim për çdo shoqëri dhe individ që lë pa përgjegjësi ndërgjegjen: në fund, humbja e ndërgjegjes do të thotë humbja e vetë njeriut.
Michail Saltykow-Shchedrin, si një nga zërat më kritikë të Rusisë së shekullit të 19-të, na jep me “Ndërgjegjen e humbur” një pasqyrë filozofike të thellë mbi rrezikun që përbën mungesa e ndërgjegjes së vërtetë njerëzore. Kjo vepër nuk është thjesht një kritikë sociale, por një reflektim ekzistencial mbi atë se çfarë na bën njerëz dhe si mund të humbasim vetveten kur neglizhojmë thelbin moral që qëndron brenda nesh.