DASHURI APO LIRI?
Tregimi “Makar Çudra” i Gorkit përpos që mëton të paraqes një dilemë interesante e të gjithpranueshme në shoqërinë njerëzore ka intencë të shpalosë një tjetër ndjenjë që duket të jetë përtej dashurisë e lirisë – Krenaria. Emri i tregimit është edhe emri i personazhit i cili bëhet rrëfyesi kryesor i metatregimit të Gorkit i cili i rrëfen rrëfyesit, përderisa të dy qëndrojnë breg detit njëri (Makar Çudra) që ruan disa kuaj e thithë llullën e tij në qetësinë penguese që lëvizë shkëmbinjë, personazhi i paidentifikuar i cili buzë detit e pranë tij qëndron duke kërkuar momentin e bashkërendimit komunikativ. Çudra plak përgjigjej me nihilizëm e pesimizëm të freskët pyetjes “Ç’bëjnë ca njerëz?” si pyetje univerzale e filozofike që kërkon të nxjerrë nga vetja njëfar esence të gjithpranueshme e objektive për realitetin njerëzor dhe atë moral. Painteresi i thellë i Çudrës për ta mbushur ekzistencën njerëzore me kuptim sa duket lezetshëm përbrenda artikulimit të tij sa me shqetësim e nevralgji, e sa me qortim e mëri. Diskutimi i Çudres me personazhin buzë detit do të kanalizohet drejt pabesisë së femrës, drejt dinakërisë së saj dhe aftësisë se saj që përmes dëshirave të thella e intenzive për gjëra të vogla e të dukura pa ndonjë rëndësi të veçantë ta shpërfaqin strategjinë e një komandanti lufte që përpos ushtrisë së armikut, vret edhe ushtrinë e vet që të mbetet i fundit ne horizontin e mundësisë së kurorëmbajtësit. Dëshmia e Makar Çudrës do të jetë një rrëfim i tij i përjetuar dhe jetuar vetë, pra shqisat e tij bashkë me mendjen do të kenë qenë dëshmitarët e vërtetë të një të vërtetë e cila kërkon më shumë të mos harrohet se sa të besohet e të kujtohet që të ruhet më e shtrenjta, më e çmueshmja e më e vlershmja – Liria. Në epiqendren e rrëfimit të Çudrës kemi një djalosh kurbat, emri i të cilit është Llojko Zobar, një trim, një ushtar emri i të cilit ishte i njohur për të gjithë, e s’kish fshat e vend që nuk e prisnin disa veta për ta vrarë e për ta zënë në besë. Por, nuk e vrsinin dot. Atij nuk i trembej syri nga askush e asgjë. Çudra fliste për bukurinë e vajzës së tij Nonkës, të cilën e mirrte si masë për t’ia treguar ose së paku përpjekur për t’ia përshkruar bukurinë e vajzës së një mikut të tij, Radës. “A e njeh Nonkën time? E bukur është si një mbretëreshë! Por përpara Radës s’është asgjë. Bukuria e Radës nuk tregohet dot me fjalë. Bukuria e saj mund të këndohet vetëm me violinë, por as këtë gjë s’mund ta bëjë veçse ai qe e njeh violinën si ç’e njeh shpirtin e vet.” – janë fjalët e Çudrës për të bijën e mikut të tij Danillos. Ushtari i madh, i cili kishte dëgjuar që Rada kishte plagosur shumë zemra trimash e kishte trishtuar shumë shpirtëra burrash mustaqegjatë, ecte e sillej me kalë, shpata e tij e lidhur për trupi vetëtinte e stolisur me xhevahirë, e shikoj Radën në sy dhe i tha: “Eja këtu! Puthmë njëherë dhe do të të falë një qese me flori”. Rada i ktheu kurrizin në mospërfillje të thellë dhe në përbuzje vrastare, nuk e bënte mall as ta shikonte dy herë e s’bëhet fjalë të begenisej që t’i përgjigjej heroit të madh, shtatlartë, që vezullonte nga krenaria e bujaria. Llojko Zobari duket që kishte rënë në kurthen e dashurisë, trimi i trimave kishte harruar fushë betejën e rrotullimin e shpatës së tij rehatuese. Të nesërmen trimi ynë ishte nisur drejt babait të Radës:”Shitma vajzën, kërkomë sa të duash!” Hodhi fjalët Llojko Zobar i neveritur, rënduar, dhe si në britmë, i lënduar, i pa mësuar që mos të marrë atë që do. “Vetëm panët shesin çdo gjë – edhe derrat edhe shpirtin e tyre, po unë jam nga ata që kanë luftuar në urdhërin e Koshutit dhe nuk shes asgjë.” – ia ktheu Danillua i patrembur e bujar teksa mbante gjoksin lartë e zemrën krenare. Heroi ynë i pezmatuar, i bërë i vogël në shpirtin e tij, nxori shpatën nga këllëfi për t’u bërë edhe më i vogël se sa që veç ishte katandisur. Njëri nga tanet i futi hamshorit në vesh fjalët e marrisë, vogëlsisë e turpit, për të ndezur atë i cili pas pak çastesh i’a mbathi me të katra. Asgjë nuk është më e madhe se sa aftësia e një shpirti për të qenë i qetë pikërisht në momentin kur ajo dëshiron të shkatërroj gjthçka, e motivuar nga një plagë, e shkaktuar nga refuzimi e mohimi, i ndjerë i papranuar e i pa dashur. Madhështia nganjëherë duhet të jetë kuptimi i vogëlsisë së shpirtit për nga rëndësia tek të gjithë, që dikur të gjithë ta kuptojnë sa madhështor është të jesh i vetëdijshëm për panevojshmërinë e të qenit i madh. Hero se hero, është vetëm ai i cili e kishte bindur fatin e tij ta ndjek vetëm një rrugë, vetëm atë, drejt të padorëzuarës për të qenë edhe vetë i padorëzuar. Llojko Zobari pas dy a tri dite u rikthye si një fëmijë i vogël së cilit nuk i ishin plotësuar dëshirat dhe kishte ikur në inatin e madh në kopshtin e të tij mbushur me rërë për të mbajtur hatrin i cili veçse shkonte e shtonte vogëlsinë e shpirtit të tij. Por, kjo vogëlsi në të vërtet nuk duhet të ketë qenë përulje e përbuzje. Si mund të jetë i vogël, i dobët e i poshtëruar njeriu që dashuron? Si ka mundësi ndjenja më e bukur njerëzore të përulë në dy gjunjë heronjë të mëdhenjë këngët e të cilëve do këndohen me qindra e mijëra vjet? “Ju betohem për emër të zotit se ju flas me zemer të paster! Ma jepni për grua këtë vajzë! Jam shume i pasur dhe do t’ua ndaj juve tërë pasurinë time! – ish nxehur Llojko Zobari dhe tundej në shalë të kalit siç tundet bari i stepes kur fryn era. “Fol moj bijë” – e pyste Danillua vajzën e tij Radën. “Ç’do të ndodhte sikur shqiponja të hynte me dëshirën e saj në çerdhen e korbit? I pyeti Rada të gjithë të pranishmit. Danillua ngriti kokën lartë, krenaria e tij kishte marrë krahë e fluturonte. Rada ia mbushte zemrën me fuqinë e një mbreti babait të tij i cili sdo ta kishte ndërruar Radën as me trimat më të mëdhenjë qe ka njohur historia e luftës. “Të lumtë goja, moj bijë! A dëgjove, o bujar? Kjo punë s’bëhet! Kërko ndonjë pëllumbeshë, se ato janë më të buta” – ia ktheu Danillua trimit tonë. Llojko Zobari desh u çmend, nxori shapkën e flaku përdhe e iku me vrap sa tundej e dridhej dheu e toka. Makar Çadra teksa ia rrëfente këtë histori perzonashit i cili na e rrëfen neve të gjithë këtë tregim u çudiste dhe hamendej: “Shiko se ç’vajzë ishte Rada” thoshte me adhurim plaku Çudra. - Muzika: kjo rrugë mbretërore drejt zemrave të mbyllura Makar Çudra vazhdoj rrëfimin e tij teksa tregonte për një natë të veçantë aty ku ishin mbledhur e ulur. Kur papritur si një yll që piketon nga errësira në dritë për t’u rritur, dëgjonin një këngë që vinte nga stepa. “Shumë e bukur ish kënga! Gjaku të ndizej në damar kur e dëgjoje!” e përshkruante Makar Çudra atë këngë që kishte dëgjuar. Nga errësira doli një kalë me një kalorës që jipte pamjen e një përralle i cili i binte violinës. U afrua pranë zjarrit që kishin ndezur dhe i shikoj të gjithe me buzë në gaz. “Ti je, o Zobar”- thirri Danillua i lumtur. Ja pra, ky ishte trimi ynë Llojko Zobar, i cili e kishte ndërruar shpatën e tij vrastare që printe koka, me violinën, “shpatën” që nxirrte zemra jashtë. Njeriu i vërtet ushtar e luftonjës nuk e njeh dështimin e dëshprimin, nuk e njeh dorëzimin e harresën, njeriu luftëtar është zemra e vërtet dhe dëshmija e përhershme e qëllimit dhe esencës njerëzore. Trimëria e luftëtarit nuk qëndron në shpatën e tij, e as në mungesën e frikës për t’i dalë ballë vdekjes. Trimëria e njëmend e luftëtarit është paaftësia e tij për t’u dorëzuar përballë marrisë, turpërimit, e frikës se të qenit i pamjaftueshëm i vogël i papranuar, i pa vlerë e i padashur. Kjo është ajo që bënë luftëtarin të pavdekshëm. Rada iu afrua Llojko Zobarit sikur skishte tjetër zgjidhje e tjetër mundësi: “Ti, Llojko, i bie mire violinës! Kush ta ka bërë këtë violinë që të bie kaq bukur e kaq ëmbël? Fytyra e Llojkos ishte e mbushur me hare e gëzim gjë të cilin nuk e shprehte me bollëk por i qeshi lehte dhe I tha: “E kam bërë me dorën time! Nuk e kam prej druri, po prej gjoksit të një vajzë që e kam dashur shumë! Telat i kam nxjerrë nga zemra e kësaj vajze.” Llojko Zobari kishte bërë ç’mos që të ia rrëmbente mendjen e t’ia ndezte zemrën që ajo ta dojë. Sa duket që beteja qëndron në duart e tua, dashuria është ndezur e liria është fituar. E sa herë mbretërit e kanë humbur kokën pasi kanë fituar beteja e luftëra nga kërrnama e tyre, nga paaftësia për ta menaxhuar zemrën e tyre përballë lavdit e lakmisë. E sa here mendja ka ikur nga banesa e saj, atëherë kur ka menduar që gjithçka ka përfunduar, për të lënë të papërfunduar gjithçka. Rada ktheu kokën në anën tjetër dhe gogësiu si e mërzitur dhe e hidhëruar:” Kisha dëgjuar se Zobari është njëri i zgjuar e i shkathët, po tani e kuptova se bota gënjeka! Ishin fjalët e Radës gojëthuktë dhe u largua për ta lënë heroin tonë të zhveshur nga ndjenjat e mira që vetëm se ia kishin prekur për më pak se pak çaste zemrën, shpirtin e mendjen e tij. Njëherë tjeter ishin mbledhur e diskutonin për punë të ndryshme. Danillua i tha Llojkos t’ua këndonte ndonjë kënge e t’ua gëzonte shpirtin. Rada rrinte e shtrirë pak më tej dhe nuk kishte asnjë interes, së paku ashtu dukej a stisej. Atë natë violina këndoj me të vërtet me zërin më të bukur. Llojkua filloj këngën dhe zëri i tij filloj vallën: “Hop, hop, porsi shigjetë vrapon Në stepë kali im! Një zjarr në gjoks më përvëlon – Dhe stepa s’ka mbarim” Ia vodhi vëmendjen Radës, ajo ktheu kokën dhe e shikoj këngtarin Llojkua drejt e në sy. E ky u bë flakë e shkrume dhe vazhdoj: “Mjegulla mbuloi stepën tërë, Stepën e madhe si det. Atje, o shok, në shehet gjërë Agimi ynë na pret. Vrapon kali im si ortek Fluturon nëpër re Dhe lejla e tij mend prek Hënën e bardhë që fle” Rada foli si me tallje teksa e dëgjonin këngtarin zë bukur që shpërndante hare e gëzim në hapësirën e ndejës:”Mos fluturo kaq lart, Llojko, se do të biesh me hundë në moçal dhe do të ndrydh mustaqet”. Të gjithëve u kishte pëlqyer kënga e trimit tonë. Danillua veçse nuk u shkri nga tingujt që ia përkundnin mendimet e ia zbutnin tersin e tërbimin. Të gjithëve iu pëlqente kënga e trimit, vetëm Rades nuk i pëlqeu. Loja nuk ndalej. Edhe sulmonin të dy e edhe duke sulmuar mbroheshin. Gjithçka kishte marrë kahjen e një beteje të “përgjakshme” për dashuri e krenari. Llojkua ecte ngadalë, kokëposhtë, duarlëshuar poshtë si ca thupra shelgu. Pak më larg i shtrirë rrinte plaku Makar Çudra që e rrëfente gjithë këtë ngjarje. Rada kish nga çadra e saj dhe po i afrohej nxitimthi. Ajo iu afrua nga mbrapa i vuri dorën ne sup kur Llojkua u kthye mbrapa dhe me thikë në dorë matej ta therrte vajzën, nga gatishmëria e trimit që vret hije. Rada briti – “Hidhe thikën! Po të mos e hedhësh do të ta mbush kokën me plumba! E kishte marrë në shenjë m’u në lule të ballit Zobarin.” Ajo e mori pisqollën e vendosi në brez dhe iu kthye Zobarit “Nuk erdha që të të vras, por që të pajtohemi”. Rada iu afrua Llojkos me fjalët më të bukura e më të këndshme që mund t’i thur një vajzë e bukur e shumëdëshiruar e që kishte dëgjuar shumë fjalë të bukura si Rada. Në fund trimit tonë Rada i tha: “Të dua!”. Të vetmen gjë që Rada ia kishte lënë si më të dëshiruar së gjithçka tjetër Llojkos pas gjithë kësaj Odiseje ishte, liria. “Nuk kam dashur kurrë në jetën time, Llojko, po ty të dua. Veç teje unë dua edhe lirinë! Llojko, unë e dua lirinë më shumë se ty!” – I tha Llojkos që e la të tronditur në thellësinë e parehatisë që nuk mund ta gjente edhe në fjalët më të bukura që donte t’i dëgjonte nga Rada e që tingëllonin sa të bukura e sa në qarkun e asaj bukurie shfaqej trishtimi e fytyra e humnerës që rrëmbente shpirtin e tij. Dashuria e Radës kishte vetëm një kërkesë për t’u plotësuar mozaiku i një historie të papërsëritshme përralle. Ajo i kishte kërkuar Llojkuas, trimit tonë, që nesër ti përkulej në dy gjunjë e t’ia puthte dorën duke i kërkuar zemrën përpara gjithë burrave me nam në vend. Zobari u trondit nga kërkesa e djallit me emrin Rada. Nuk ishte e traditës së tyre t’i përkuleshin grave për t’ua marrë hisen e zemrës e rehatinë e shpirtit. Llojkua duhet të bënte marrëveshjen e veçantë me djallin. Të japësh krenarinë që të marrësh dashurinë! Të nesërmen përpara burrave të mbledhur gjithë së bashku Rada priste përkuljen e trimit mbi trima, Llojkua Zobari, shpata e të cilit kishte dërguar qindra shpirtëra në botën e nëntokës, ishte detyruar të gjunjëzohet përpara Radës si i zhveshur nga çdo lloj viryti e nami prej luftëtari përballë të gjithë burrave që i flisnin me kujtim e që e nderonin si hero e ushtar të pazëvendësueshëm. Në mesin e të gjithëve Rada e thirri Zobarin që ta kryente “ritin” për të cilin ishin marrur vesh. Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndërmend Zobari. Ai iu afrua Radës, dhe përnjëherë të gjithë e panë se Rada u rrokullis përdhe. Zobari i kishte ngulur thikën e tij në krahëror gjer te mylli. Rada i kishte thënë fjalën e saj të fundit lamtumire me fjalët: Lamtumirë, Llojko! E dija se kështu do të bëje…! Dhe vdiq… Në të njejtin çast, në vendin ku Rada mbylli sytë, rreth e rrotull burrave ku kishte kërkuar përkuljen e trimit të madh, u zgjua shpejt babai i saj Danilloja dhe ia futi thikën nga mbrapa drejt e në zemër Llojkuas. “Të lumtë dora” i tha Llojkua Danillos dhe u kthye për t’u përpjekur me Radën e vdekur. Liria kërkonte dashurinë që të përmbushej si e tërë, si totalitet e univerzalitet singular. Ndërsa, dashuria kërkonte lirinë, që të shtrihej e të ngrihej sa më shumë, si dëshmi e përjetësisë, përmes përkuljes së shpirtërave të fuqishëm e të pamposhtur. Dashuria apo liria? As njëra e as tjetra, e edhe të dyja së bashku, si përtej, që nuk mund të kurorëzohet për t’u bërë jete nga rojtari të cilit nuk i dridhen mustaqet, e i shkëlqejnë sytë – Krenarisë.