Subjekt dhe Patos
Të filozofosh sot do të thotë të refuzosh të jesh i "cektë", të refuzosh rehatinë e "Njeriut të Fundit" dhe të guxosh të ndërtosh një Unë që nuk i nënshtrohet diktatit të kohës, por amshimit të mendimit të lirë.
Por nëse e marrim seriozisht diagnozën e Michel Foucault, atëherë problemi nuk është thjesht “internimi” institucional i filozofisë, por mënyra se si vetë subjekti është prodhuar si efekt i dispozitivëve të dijes dhe pushtetit. Në Surveiller et punir ai shkruan: “Le pouvoir produit du savoir (…) le pouvoir et le savoir s’impliquent directement l’un l’autre.” — pushteti prodhon dije (…) pushteti dhe dija implikojnë drejtpërdrejt njëri-tjetrin. Kjo formulë është themelore për metafilozofinë: ajo na detyron të pyesim nëse filozofia është jashtë pushtetit, apo një formë e rafinuar e tij.
Nëse çdo regjim i së vërtetës është i lidhur me struktura pushteti, atëherë edhe filozofia, kur institucionalizohet, bëhet pjesë e një ekonomie normalizimi. Ajo klasifikon, konceptualizon, prodhon diskurse legjitime. Në këtë kuptim, “burgosja” e saj në universitet nuk është vetëm neutralizim, por edhe transformim funksional: nga praktikë e rrezikshme e jetës, në disiplinë e certifikuar. Subjekti filozofik zëvendësohet nga specialisti i filozofisë.
Por Foucault nuk e redukton analizën në pesimizëm institucional. Në ligjëratën e tij “Qu’est-ce que la critique?”, ai e përkufizon kritikën si “l’art de n’être pas tellement gouverné” — arti për të mos u qeverisur kaq shumë. Këtu filozofia nuk është doktrinë, por qëndrim; jo sistem, por ethos. Metafilozofia, pra, nuk duhet të pyesë vetëm “çfarë është filozofia?”, por “çfarë lloj subjekti prodhon akti i filozofimit?”.